“RAJONE MË TË FORTA NË RRUGËN E INTEGRIMIT NË BE”
Në kuadër të Programit për Zhvillimin Rajonal në Shqipëri (PZHRSH), PZHRSH dhe katër Agjencitë e Zhvillimit Rajonal (AZHR), organizuan diten e premte, më 27 korrik 2018, në Tiranë, një event publik për të prezantuar zbatimin e Skemës Pilote Rajonale të Granteve.
Për herë të parë në Shqipëri, zbatohet një Skemë Pilote Rajonale e Granteve me një fond prej 820,000 Euro, kjo në partneritet të ngushtë me katër Agjencitë e Zhvillimit Rajonal, në bazë të praktikave më të mira dhe standardeve të BE-së. Thirrja për aplikime, mblodhi më shumë se 47 aplikime, prej të cilave u përzgjodhën 16 projekte, të lokalizuara në katër zonat e zhvillimit të Shqipërisë, të cilat do të financohen në vazhdim sipas kësaj skeme.
Në Rajonin Jugor Bashkitë kanë qenë konkurrente shumë të forta në këtë Thirrje për Aplikim, duke treguar cilësi shumë të lartë me projekt-propozimet e tyre, të cilat ishin të fokusuara në përmbushjen e nevojave parësore të komuniteteve lokale.
Në Agjencinë për Zhvillim Rajonal 4 aplikuan 14 nga 20 bashki në total. Tipologjia e projekteve ishte e larmishme dhe në përputhje me veprimtaritë e lejuara nga Thirrja për Aplikime. Fushat ku u shpreh interes ishin: arsimi, sporti, turizmi, kultura, përmirësimi i kushteve socio-ekonomike dhe jetesës së komunitetit.
Referuar 14 aplikimeve të dorëzuara, erdhën në total 6 kërkesa për bashkë-financim dhe 8 kërkesa për financim 100 % nga skema e grantit. Gjithashtu në rajonin tonë kemi edhe një rast me bashkë-aplikant siç është rasti i Bashkive Patos dhe Fier. Në 13 raste të tjera Bashkitë konkuruan si aplikante të vetme.
Në përfundim të procesit selektiv, rezultuan 4 projekte fituese me një kërkesë për financim nga skema e grantit prej 213,128 EUR, përfshirë TVSH-në. Skema e grantit kishte në dispozicion për rajonin jugor një fond total prej 205,500 EUR, përfshirë TVSH-në. Me mbështetjen dhe dashamirësinë e Programit për Zhvillim Rajonal në Shqipëri, Bashkitë fituese të rajonit jugor nuk bënë asnjë reduktim në buxhetet e tyre duke absorbuar një vlerë financimi 7,628 EUR më të lartë se vlera në dispozicion e skemës së grantit.
4 projektet fituese në rajonin tonë vijnë nga 2 Bashki të mëdha dhe 2 Bashki të vogla, Fier, Vlorë, Patos dhe Këlcyrë. Vlera e investimit në rajonin 4 shkon në total 271,920 EUR
Shuma e financuar nga skema e grantit është 213,128 EUR, ose 78% e vlerës së investimit.
Bashkë-financimi nga ana e Bashkive kap vlerën 58,792 EUR, ose 22 % të vlerës së investimit.
AZHR 4 falenderon Bashkitë aplikante të Rajonit 4 në kuadër të Thirrjes për Aplikime CFP RDPA III - Skema Pilote Rajonale e Granteve 2018.